Tarifë shtesë për të huajt – Ata që do të aplikojnë për viza elektronike, 20 euro për shërbimin
Çdo i huaj që do të aplikojë për vizë elektronikë në Republikën e Shqipërisë do të paguajnë një tarifë shtesë prej 20 eurosh për këtë shërbim. Më 27 gusht, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në rregulloren “për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në republikën e Shqipërisë”.
Ndryshimet parashikojnë vendosjen e tarifës për vizat e tipit C dhe D.
“Për të huajt që aplikojnë për vizë elektronike tipi C apo D, aplikohet një tarifë shtesë (fikse) për shërbimin, prej 20 eurosh, krahas tarifës së vizës”, përcakton ndryshimi.
Tarifa prej 20 eurosh do t’u shtohet kostove të aplikimit për vizë e cila është e ndryshme në varësi të shteteve. Pjesa më e madhe e tarifave luhatet mes shumave 30 deri 50 euro, ndërkohë që ka shtete si Bjellorusia, Kuvajti, Kazakistani apo Panamaja për të cilat kjo tarifë arrin deri në 100 euro. Në listë nuk mungojnë as shtetet që e kanë zero këtë tarifë, si Algjeria apo Irani. Për një pjesë të konsiderueshme shtetet aplikohet repricocitetit, që do të thotë paguhet e njëjta tarifë që paguhet nga shtetasit shqiptarë për viza në këto shtete. Në mungesë të një tarife të përcaktuar përmes përcaktimeve të mësipërme, paguhet shuma fikse prej 35 eurosh.
Ndryshimet nuk prekin dokumentacionin dhe kushtet që duhet të përmbushin shtetasit e huaj për të aplikuar për vizë në Republikën e Shqipërisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.