Task-Forca Mjekësore – 6 shtete bashkohen për përballimin e krizave

Miratohet ngritja e një strukture ushtarake mjekësore shumëkombëshe, të quajtur Task-Forca Mjekësore e Ballkanit.
Marrëveshja është nënshkruar mes gjashtë shtetesh të cilat synojnë arritjen e një sërë objektivave në mbështetje të operacioneve në përgjigje të krizave, për të reaguar brenda një kohe të shpejtë ndaj situatave në raste të fatkeqësive rajonale, si dhe në misionet e drejtuara nga OKB-ja.
Për arritjen e këtyre objektivave, shtetet pjesëmarrëse do të ofrojnë kontributet e tyre, të cilat do të bazohen në kapacitetet ekzistuese mjekësore, në mbështetje të operacioneve ndërkombëtare për këtë qëllim.
Sipas kreut të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe të Çështjeve Sociale Petrit Vasili vendi ynë nuk i ka kapacitete për të kontribuar në këtë organizatë.
“Marrëveshja të jetë ashtu siç ju përdorët një term të dobishëm, dinjitoze, duhet patjetër që Ministria e Mbrojtjes së bashku me qeverinë shqiptare duhet të rikonceptojnë kapacitetet mjekësore ushtarake. Të bëjnë pjesë të kapaciteteve të tjera ushtarake dhe struktura të tjera, pasi në rast se kjo nuk ndodh ne nuk mund të bëhemi kurrë partnerë dinjitozë të kësaj marrëveshje. Sot, kapacitetet mjekësore ushtarake janë rudimentare.”
Shtetet pjesë e Task-Forcës Mjekësore të Ballkanit janë: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia, Malit i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Marrëveshja mes këtyre shteteve është hartuar duke pasur parasysh nevojën për përdorimin e kapaciteteve ekzistuese mjekësore ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shpenzimet financiare të përllogaritura për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për Shqipërinë janë: Kostoja e shpenzimeve vjetore për përfaqësuesin e përhershëm të një ushtaraku me gradën major-nënkolonel në Shtabin e BMTF-së, në Maqedoni, është përllogaritur, përafërsisht, 3 milionë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë lekë dhe do të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kostoja e stërvitjeve për kompaktësimin e strukturës së krizës është përllogaritur mbi dy milionë lekë dhe do të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe strukturat e Forcave të Armatosura, të cilat do të angazhojnë personelin e tyre në këto stërvitje.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.