Task-Forcë vijon aksionin, Veliaj: Situata me ujin e pijshëm drejt përmirësimit

Banorët e bllokut që kufizohet nga rruga e “Kavajës” dhe “Vëllezërit Manastirli” në kryeqytet do të kenë më shumë prurje në rrjetin që i furnizon ata me ujë të pijshëm.
Rrjeti i amortizuar ndër vite, si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve, është rinovuar tërësisht duke zgjidhur përfundimisht problemin e furnizimit me ujë.
“Lajmi i mirë është që situata me ujin e pijshëm është drejt përmirësimit. Jemi ndihmuar jashtë mase nga prerja e mijëra lidhjeve të paligjshme. I kërkoj qytetarëve që ta kursejnë ujin e pijshëm, pavarësisht se situata është përmirësuar. Uji i pijshëm sot është një mall, i cili vërtet në Tiranë ka koston më të lirë në treg, por gjithsesi është një mall që e ka një fund”, tha ai, ndërsa bëri thirrje për sensibilizimin e qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe të mos e shpërdorojnë atë. “Mbi 90% e Tiranës po e zbaton mirë rregulloren e situatës së emergjencave, por kemi ende disa raste në periferi”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se grupet e Task Forcës do të vijojnë punën në terren për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm dhe u kërkoi drejtuesve të Bashkisë Kamëz dhe Vorë që të tregohen bashkëpunues për të ndaluar rastet e abuzimit me ujin e pijshëm.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.