Tatimet mbledhin 2.6 miliardë lekë borxhe në prill 2019! Rritje me 39 % në krahasim me 2018
Administrata Tatimore deklaron se ka njohur një rritje të konsiderueshme të mbledhjes së borxhit tatimor gjatë muajit prill. Referuar të dhënave të publikuara nga Tatimet, në muajin prill të këtij viti rezultojnë 39 % më shumë detyrime të papaguara që janë mbledhur, krahasuar me Prill 2018.
E shprehur në shifra, gjatë muajit Prill 2019 janë mbledhur 2.6 miliardë lekë borxh tatimor, kundrejt 1.9 miliardë lekë të mbledhura në të njëjtën periudhë të vitit 2018.
“Menaxhimi më i mirë i masave për mbledhjen e borxhit, nga drejtoritë e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara ka sjellë një impakt të ndjeshëm në mbledhjen e arkëtimeve.
Administrata Tatimore ka rritur shkallën e informimit parandalues ndaj tatimpaguesve, nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, në lidhje me afatet, mënyrat e pagesës së borxhit dhe ndërgjegjësimit të tyre për masat shtrënguese.
Më shumë se 25 mijë telefonata kujtese janë realizuar nga Qendra e Thirrjeve gjatë kësaj periudhe, për të paralajmëruar në kohë tatimpaguesit mbi afatet finale të pagesave. Objektivi strategjik dhe operacional për strukturat e Mbledhjes me Forcë në vitin 2019 është rritja e arkëtimeve me 10% për të njëjtat periudha të vitit të mëparshëm” shkruhet në njoftimin e Tatimeve.
Ndërkohë, Tatimet evidentojnë se në të dhënat e 4 mujorit Janar-Prill 2019, rezulton se ky objektiv jo vetëm është arritur por edhe është tejkaluar nga Drejtoritë Rajonale, ndërsa janë arkëtuar 7,6 miliardë lekë detyrime të papaguara (borxh tatimor). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, ku u arkëtuan 5,4 miliardë lekë, gjatë këtij viti janë arkëtuar 2,2 miliard lekë ose 41% më shumë.
Në fund të njoftimit, Administrata Tatimore këshillon tatimpaguesit që të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që u përcillen në mënyrë elektronike përmes llogarisë së tyre personale në e-filing, e-maileve, apo komunikimit telefonik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.