Tatimet: Procedura dhe dokumentet për të aplikuar për certifikatën e rezidentit tatimor. Kërkesa për shmangien e taksimit të dyfishtë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar dokumentet për të aplikuar për certifikatën e rezidentit tatimorë, si për aplikimin për shmangien e Taksimit të Dyfishtë.
“Tatimpaguesit dhe individët për t’u pajisur me certifikatë rezidenti tatimor, vërtetim për pagesën e Tatimit të Mbajtur në Burim për të ardhurat që jo-rezidentët kanë përfituar me burim në Republikën e Shqipërisë, si dhe për të aplikuar për shmangien e taksimit të dyfishtë kërkesën e tyre me shkrim duhet ta depozitojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Marrëdhënieve dhe Koordinimit Ndërinstitucional”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
I) Certifikatë Rezidenti Tatimor
Dokumentacioni që kërkohet për t’u pajisur me certifikatë rezidenti tatimor është për:
1) Tatimpaguesin:
Kërkesa me shkrim, ku specifikohet viti , shteti dhe arsyeja për të cilën kërkohet certifikata.
2) Individin:
Kërkesa me shkrim, ku specifikohet viti , shteti dhe arsyeja për të cilën kërkohet certifikata;
Vërtetim i banesës së përhershme (kopje e aktit të pronësisë së banesës, kopje e kontratës së qerasë ose vërtetim banese nga njësia administrative ku banon);
Qendra e interesave jetike (interesat personale dhe ekonomike). Personi vetëdeklaron në lidhje me interesat e tij jetike dhe i bashkëlidh kërkesës një kopje të dokumentacionit që provon deklarimin e tij.
Nëse personi është shtetas i huaj, por rezident për qëllime tatimore në Shqipëri, ai deklaron se interesat e tij familjare janë të lidhura me Shqipërinë, pasi familja e tij jeton në Shqipëri dhe ai punon në Shqipëri (ka biznes apo është i punësuar).
Kohëqendrimi në Republikën e Shqipërisë (shkresë nga D.P.P.SH, me të dhënat e hyrje-daljeve kufitare nga sistemi TIMS)
II) Vërtetim për shmangien e Taksimit të Dyfishtë Për të aplikuar për shmangien e taksimit të dyfishtë kërkohet të paraqitet dokumentacioni si më poshtë:
Kërkesë me shkrim;
Formulari i aplikimit të marrëveshjes (origjinal, i nënshkruar nga përfituesi i të ardhurave dhe autoriteti tatimor ku ai është rezident);
Fotokopje e faturave;
Kopje e njehsuar me origjinalin në shqip e kontratës ndërmjet dy palëve.
Nuk është e detyrueshme depozitimi i kontratës, nëse ajo është depozituar më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në këtë rast tatimpaguesi informon për referencat e shkresës së depozituar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Nëse nuk ka kontratë ndërmjet palëve, tatimpaguesi duhet të informojë në kërkesën e tij rreth fakteve të mëposhtme:
Lloji i shërbimit të ofruar;
Kohëzgjatja e këtij shërbimi
Mënyra e ofrimit të shërbimit (on-line, on site);
Nëse për ofrimin e shërbimit ka prezencë fizike në territorin e Republikës së Shqipërisë, të përcaktohet saktësisht kjo e fundit;
Të ndahen pagesat për të drejtat e përdorimit, markat tregtare, licencat etj në furnizimet e përziera (shërbim dhe pagesa për honorare).
III) Vërtetim për pagesën e Tatimit të Thjeshtuar në Burim për të ardhurat që jo-rezidentët kanë përfituar me burim në Republikën e Shqipërisë Dokumentacioni i kërkuar për t’u pajisur me vërtetim për pagesën e Tatimit të Thjeshtuar në Burim është:
Kërkesë me shkrim, ku të specifikohet:
Emri dhe NIPT-i i tatimpaguesit që ka mbajtur tatimin në burim;
Tatimpaguesi jo-rezident, numri i tij i identifikimit për qëllime tatimore, rezidenca;
Vlera e faturave të lëshuara, periudha për të cilën janë lëshuar këto fatura si dhe Tatimi i Mbajtur në Burim.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.