Tatimet shpjegojnë për SCAN formulën e rivlerësimit të banesave – Qartësohen dhe kontratat e dhurimit me zero tatim.
Një qytetar që është në proces të shitjes së banesës apo biznesit, nuk mund të paguajë direkt tatimin 3 për qind, si diferencë midis çmimi të blerjes dhe atij të shitjes gjatë transaksionit, por duhet të bëjë më parë rivlerësimin. Dhe nëse rivlerësimi del më i ulët, se vlera që kërkon ta shesë, atëherë mbi këtë diferencë pronari i pasurisë duhet të paguajë 15 për qind.
Per shembull, nëse prona është blerë me çmimin 5 milionë lekë, dhe rivlerësohet në 7 milionë lekë, ndërkohë që pronari e shet 8 milionë lekë, atëherë detyrimi për tu paguar është 15 për qind e 1 milionë lekëve, apo 150 mijë lekë.
Zyrat e pasurive të paluajtshme kanë nisur zyrtarisht të presin aplikimet e qytetarëve dhe bizneseve për rivlerësimin e banesave me tatim në masën 3 për qind. Aplikantët duhet të kenë me vete kontratën e shitblerjes apo një kopje të certifikatës së pronësisë dhe të plotësojnë formularin përkatës, ndërsa opsioni i dytë është që të zgjedhin dhe ta bëjnë rivlerësimin me një ekspert privat të liçencuar.
Njëkohësisht me fushatën e rivlerësimit, ka nisur edhe aplikimi i kontratave të dhurimit me zero tatimfitim, midis bashkëshortit-bashkëshortes, prindit-fëmijës dhe fëmijëve me njëri-tjetrin.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.