Tatimet, strukturë e veçantë për mbledhjen e detyrimeve
Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet pranë administratës fiskale ka ardhur në rritje nga viti në vit.
Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, lidhur me borxhet e papaguara është për t’u theksuar fakti se është implementuar struktura e re, sipas të cilës stafi i mbledhjes së detyrimeve është suportuar me organikë.
Në fund të vitit të kaluar ishte vetë Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili deklaroi se borxhi që bizneset i kishin administratës tatimore arrinte në 1.4 miliard dollarë.
Por po sipas burimeve nga tatimet, janë bërë përmirësime në Ligjin e Procedurave Tatimore lidhur me procedurën e pagesës me këste për të mundësuar pagimin e stokut të borxhit.
Projektligji i ri i fshirjes së penaliteteve do të ketë efekte pozitive, jo vetëm në pastrimin e regjistrit të borxheve të papaguara të cilat janë shumë të vjetra dhe realisht të pambledhshme, por edhe në arkëtimin e të ardhurave nga tatimet e papaguara që falen me kusht.
“Lidhur me problemin e detyrimeve të papaguara me kërkesë të DPT-së, një mision i FMN ofroi asistencë teknike të vlerësueshme me qellim analizimin e situatës dhënien e rekomandimeve për veprim. Raporti i këtij misioni u shqyrtua me kujdes sidomos në lidhje me strategjinë që duhet të ndiqet për zgjidhjen e problemeve dhe reduktimin e borxheve”, sqarojnë burimet e mësipërme.
Mbi këtë bazë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përgatitur edhe një plan të detajuar veprimesh që do të duhet të ndërmerret për adresimin e kësaj çështjeje të rëndësishme.
Violeta Shqalsi/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.