Tatimet takim me bizneset në sektorin e tregtimit të hidrokarbureve dhe karburanteve: Kërkohet rishikimi dhe deklarimi real i pagave

Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj zhvilloi një takim me biznese që operojnë në sektorin e tregtisë së hidrokarbureve dhe karburanteve.
Gjatë këtij takimi një kërkesë e drejtpërdrejtë për përfaqësuesit e bizneseve ishte rishikimi i pagave për punonjësit e këtij sektori.
Gjithashtu gjatë bisedimeve u ra dakord se mosdeklarimi i pagave reale, jo vetëm cenon kontributet e të punësuarve, por gjithashtu është një tregues që konfirmon të ardhura të padeklaruara për punëdhënësit e tyre.
Në këtë aktivitet theksi u vendos tek rëndësia që kanë tatimpaguesit e mëdhenj si taksapaguesit më të rëndësishëm të vendit, për sa i përket kontributit në të ardhurat totale tatimore.
“Administrata Tatimore i konsideron Tatimpaguesit e Mëdhenj, si faktorë shumë të rëndësishëm në arritjen e objektivit të përbashkët për minimizim e evazionit fiskal. Për këtë arsye, bashkëpunimi për minimizimin e informalitetit kontribuon jo vetëm në instalimin e edukatës fiskale, por përkthehet automatikisht edhe në rritje të konsiderueshme të të ardhurave tatimore. Faturat dhe kuponët tatimor duhet në çdo rast të pasqyrojnë detyrimin real për çdo shitblerje duke krijuar një zinxhir formal transaksionesh deri te konsumatori i fundit”, thuhet në një njoftim të Tatimeve, pas aktivitetit të zhvilluar.
Në takimin e zhvilluar pjesëmarrësit vlerësuan nismën e administratës tatimore duke parashtruar shqetësimet e tyre por edhe sugjerimet në përmirësim të kushteve aktuale të këtij sektori.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.