Tatimet thirrje qytetarëve: Ja si mund të dalloni kuponët tatimorë nga ata fiktivë? Gjobat për çdo shkelje dhe denoncimet që duhet të kryeni

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi për mediat iu bën thirrje qytetarëve se si mund të verifikojnë nëse kuponi tatimor i lëshuar për ta është i rregullt apo fiktiv. Administrata tatimore sjell në vëmendje disa elementë të kuponëve me qëllim që qytetarët të mos bien pre e lëshimit të një kuponi jotatimor nga pajisje fiskale jo të autorizuara.
“Administrata tatimore ju sjell në vëmendje këto elementë, që ju të mos bini pre e lëshimit të një kuponi jotatimor nga pajisje fiskale jo të autorizuara. Të tillë kuponë janë abuzivë dhe vlejnë vetëm për përfitime abuzive në dëm të interesit tuaj dhe shoqërisë në tërësi. DPT ju inkurajon të denonconi çdo rast duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 14 14 ose duke na dërguar foto e video në Whatsapp dhe Viber në numrin 0697073733”, thuhet në një njoftim të DPT.
Sipas Tatimeve, kuponi tatimor që i jepet një blerësi apo një klienti, përmban të dhënat e mëposhtme:
Emrin, adresën e tatimpaguesit;
NIPT-in;
Emrin, sasinë, çmimin dhe vlerën e çdo artikulli /ose shërbimi;
Vlerën totale të mallrave apo shërbimeve të marra;
Mënyrën e pagesës (cash, çek, kartë krediti etj.);
Shumën e TVSH-së, sipas shkallës tatimore;
Në pjesën e fundit të kuponit tatimor ndër të tjera paraqitet:
Numri i identifikimit të pajisjes fiskale;
Data dhe ora e lëshimit të kuponit;
Numri i kuponit
Logo fiskale, që është shenja identifikuese, që vendoset në çdo kupon tatimor, në fund dhe e pozicionuar në qendër të tij.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çdo kupon i lëshuar jo sipas kësaj forme, është i pavlefshëm dhe i dënueshëm administrativisht nga ligji, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.