Tatimi mbi të ardhurat personale – 6-mujori, 1.2 miliard lekë më pak në buxhet

Ndonëse pritej të kishte rritje të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, 6-mujori i këtij viti u mbyll me vlera të konsiderueshme më pak.
Referuar të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, gjatë kësaj periudhe të ardhurat nga ky zë llogariten në 15.6 miliardë lekë, nga 16.8 miliardë që ishin planifikuar, ose 1.2 miliardë lekë më pak se parashikimi.
Të qenurit një vit zgjedhor duket se ka ndikuar edhe në nivelin e taksave, apo në atë që mund të themi “ra tempi” i luftës ndaj informalitetit, i nisur dy vite me parë “me dorë të hekurt”.
Duket se politika e qeverisë për një politikë të re taksash sa i takon të ardhurave personale, ku hyri në fuqi taksimi progresiv nuk po funksionon.
Gjithashtu rritja e numrit të të siguruarve sipas institucioneve shtetërore, duket se nuk ka patur efekt pasi shumica e deklarimeve janë me pagën minimale. Kjo mund të ketë rritur dhe evazionin, duke bërë që deklarimi i pagave të mos jetë real.
Sipas ligjit, të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013.
Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: ato mbi të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat; nga interesat bankare; nga dividendët; nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe për burime të tjera të ardhurash.
Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.