Tatimpaguesit nuk depozitojnë Librat e Shitjes dhe Blerjes – DPT thirrje subjekteve për dorëzimin e tyre: Masat në rast vonese

Një pjesë e tatimpaguesve nuk kanë dorëzuar pranë Administratës Tatimore, librat e shitjes dhe të blerjes për muajin nëntor, ndonëse afati i fundit ligjor për depozitimin e tyre ka qenë data 11 dhjetor 2017.
Lajmi është dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku në këtë njoftim tregon edhe masat që merren në rast se libri i shitjeve nuk deklarohet në kohë.
“Mbështetur në dispozitat ligjore, tatimpaguesit që janë subjekt i ligjit Nr.92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, duhet të mbajnë Libër Shitje dhe Libër Blerje për të dokumentuar transaksionet që kryejnë.
Administrata Tatimore vëren me shqetësim se deri në datën 11.12.2017 (afati i fundit ligjor për dorëzimin e Librave të Shitjes dhe Blerjes të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, për muajin Nëntor 2017) një pjesë e tatimpaguesve ende nuk i kanë dorëzuar Librat e Shitjes dhe Blerjes për këtë periudhë.
Administrata Tatimore sjell në vëmendje të tatimpaguesve domosdoshmërinë e plotësimit të këtij detyrimi ligjor dhe sqaron se deklarimi i librave në fjalë, përveçse është një detyrim ligjor, njëkohësisht është një barrë prove ku mbështetet formulari i deklaratës së pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, mosdorëzimi në kohë i ekspozon tatimpaguesit në kontrolle të menjëhershme nga zyra dhe verifikim të të dhënave me të tretët”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku kujton edhe një herë tatimpaguesit se ofrohet asistencë në sportelet e shërbimit dhe në numrin pa pagesë të “Qendrës së Thirrjeve”: 0800 00 02.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.