Të ardhura nga aktivitet kriminal – Policia sekuestron pasuri me vlerë mbi 1 milion dollarë dhe arreston 1 shtetas

Policia e Shtetit njofton se nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Dërgesa”, si rezultat i të cilit u vendos sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasit Y. D., 44 vjeç, aktualisht i arrestuar nga autoritetet e DEA-s (antidroga) në SHBA, pasi është i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine për në SHBA dhe Europë.
Sipas njoftimit në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 1.200.000 dollarë, konkretisht:
- Një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë;
- Një shoqëri sh.p.k;
- 1 llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë.
Policia bën me dije se nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.