Të ardhurat e 2-mujorit, Ahmetaj për SCAN: Rezultat i reformave dhe miradministrimit

Të ardhurat në buxhetin e shtetit për periudhën e parë të këtij viti kanë qenë më të larta se planifikimi, por edhe se një vit më parë. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një prononcim për “TV SCAN”, deklaroi se kjo është efekt i rritjes ekonomike, rezultateve të reformave dhe gjithashtu si një përmirësim i marrëdhënieve më biznesin.
“Faktori kryesor është vazhdimi i rritjes ekonomike edhe këtë vit. E dyta është ndërgjegjësimi i sipërmarrjes, me reflektim të thjeshtimit të procedurave që ne ndërmorëm vitin e kaluar. E treta është rigoroziteti i administratës. Së bashku të tre elementët kanë ndihmuar në rritjen e të ardhurave. Jo vetëm në rritjen e të ardhurave përtej vitit të kaluar dhe përtej planit, por me një ambicie për të kapur shifrat e reja në funksion të uljes së deficitit dhe borxhit. Besoj se ka një përmirësim të rëndësishëm 5-6 muajt e fundit të imazhit të DPT-së dhe të instrumenteve që drejtoria përdor për të informuar sipërmarrjen dhe për ta ftuar të vetëdeklarojë. Patjetër që përmirësimi i marrëdhënies mes administratës dhe sipërmarrjes drejtpërdrejt influencon në rritjen e të ardhurave.”
Pyetjes se nëse kanë qenë konservatorë në planifikimin e të ardhurave, dhe nëse ato janë programuar nën potencial, Ahmetaj iu përgjigj:
“Metodologjia është e njëjtë. Është përdorur i njëjti koncept që është përdorur edhe vitet e tjera që ka të bëjë me rritjen ekonomike, me nominalen, me deflatorin, me importet, me rritjen e bazës tatimore. Pra janë elemente që nuk të lejojnë të jesh konservator apo të jesh edhe entuziast përtej asaj që është normale.”
Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale në 2 mujorin 2017 janë realizuar në masën 64 miliardë lekë, 3.7% më shumë ose 2.3 miliardë lekë më shumë se 2-mujori 2016 dhe rreth 105 për qind në raport me planin e periudhës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.