Të ardhurat në buxhet – Treguesit fiskalë, Janari shënon rritje

Duket se viti 2017 ka nisur mirë për administratën fiskale. Niveli i të ardhurave në buxhetin e shtetit për muajin Janar është realizuar në vlerën e 32.8 miliardë lekë me një diference pozitive prej 600 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Referuar statistikave fiskale të Ministrisë së Financave të një viti me parë, niveli i këtyre të ardhurave ishte 32.2 miliardë lekë. Gjatë gjithë vitit të kaluar të ardhurat në buxhet kanë qenë nën planifikim, ndërsa ky fillim viti po tregon se trendi duket në rritje.
Sipas këtyre statistikave, shpenzimet buxhetore për muajin janar janë 25 miliardë lekë, ndërsa pati një suficit buxhetor qe llogaritet të jetë 7.8 miliardë lekë.
Nisur dhe nga performanca jo e mirë e administratës fiskale gjatë dy viteve të fundit ka bërë që kjo administratë të ndryshojë “strategji” në marrëdhënien e saj me biznesin.
Kështu që në fillim të vitit kjo administratë po “edukon” sipërmarrjen nëpërmjet shtresave apo udhëzimeve të ndryshme, si dhe ka rënë ndjeshëm penalizimi direkt i biznesit.
Këtë fakt e tregon dhe vlera e të ardhurave tatimore, e cila për muajin e parë të këtij viti është në vlerën 30.9 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë të ardhurat nga ky zë ishin 29.5 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.