Të ardhurat nga arti – Mbi 15 milionë lekë, 7 mln më pak se 2016. Shifrat optimiste për 2018-ën
Rreth 7 milion lekë më pak janë të ardhurat e siguruara për 2017-ën nga shfaqjet teatrale të institucioneve të ndryshme të artit në vendin tonë .
Nga të dhënat e siguruara për televizionin SCAN nga ministria e Kulturës rezulton se vitin e kaluar kjo ministri ka siguruar fondin prej 15 milion 126 mijë lekësh nga biletat e shitura, ku të ardhurat më të mëdha kanë sjellë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit me 4.7 milion lekë dhe Teatri Kombëtar me 4.2 milion lekë .
Ndërsa referuar vitit që lamë pas, teatri eksperimental përmes shfaqjeve të ndryshme i ka shtuar buxhetit 2.8 milion lekë, ndërsa Qendra Kombëtare e Kulturës Për Fëmijë 1.7 milion lekë .
Dy institucionet që rezultojnë me të ardhura më të ulëta janë Galeria kombëtare e Arteve me 742.6 mijë lekë dhe Cirku me 749.7 mijë lekë.
Viti me më shumë të ardhura nga shfaqjet teatrale që prej 2013-ës rezulton 2016-ta me 22 milion lekë ndërsa të ardhurat më të pakta janë siguruar në 2013-ën vetëm 9.3 milion lekë .
Ndërsa ajo që bie në sy ndryshe nga viti që lamë pas është së në muajt e parë të 2018-ës shifrat janë optimiste.
Të ardhurat nga biletat e shitura deri më tani, kapin shifrën prej 5.9 milion lekësh dhe vendin e parë për të ardhurat më të larta e mban sërish Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit me 2.8 milion lekë .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.