Të ardhurat nga fondet special – 6 mujori , arkëtohen 3 mld lekë më shumë 2016

Nga përfaqësues të qeverisë është deklaruar se gjatë këtij viti ka patur mijëra persona më shumë të deklaruar si të punësuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore.
Por sipas analizave të bëra këto nuk janë të gjitha vende të reja pune. Disa janë vende të reja pune, të tjerat janë vende pune që janë zbardhur nga puna në të zezë.
Kjo shihet nga ndryshimi i madh që ka në të ardhurat nga sigurimet shoqërore krahasuar me një vit më parë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, vetëm për 6 muajt e parë të vitit janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 42 miliardë lekë, ose 3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhe e një viti më parë, ku vlera e tyre ishte 38.9 miliardë lekë.
Po sipas këtyre të dhënave, të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë ato që shënojnë dhe vlerën më të madhe të realizimit me 35.6 miliardë lekë për këtë periudhë, ndërsa sigurimet shëndetësore janë realizuar në 5.6 miliardë lekë.
Ndërsa këto zëra një vit më parë ishin përkatësisht në vlerat, sigurimet shoqërore 32.7 miliardë lekë dhe sigurimet shëndetësore në 5.3 miliardë lekë.
Nisur nga këto të dhëna rezulton se aksioni ndaj informalitetit i nisur dy vite më parë nga qeveria dha efekte pozitive në skemën e sigurimeve shoqërore, por “ambicja” e qeverisë ka qenë më e madhe, pasi kjo skemë vazhdon të financohet nga buxheti i shtetit me vlera të konsiderueshme.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.