Të ardhurat nga interesat, në rënie edhe gjatë këtij viti
Të ardhurat neto nga interesat të sistemit bankar janë në rënie. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin të ardhurat nga interesat zbritën në 22.4 miliardë lekë, 4.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo do të thotë se diferenca mes të ardhurave nga interesat dhe shpenzimeve për interesa është ngushtuar. Të ardhurat e bankave nga interesat e kredive dhe letrave me vlerë kanë rënë më shumë krahasuar me uljen e shpenzimeve për interesa depozitash.
Kjo tendencë ishte pritshme, duke pasur parasysh se hapësirat për të ulur kostot në krahun e depozitave ishin të pakta, sepse qysh vitin e kaluar interesat zbritën shumë afër zeros. Ndërkohë, interesat e kredive kanë vijuar të ndjekin një tendencë në rënie, si rrjedhojë e konkurrencës mes bankave, sidomos në biznesin e shitjeve me pakicë, që përfshin kreditimin për individët dhe bizneset e vegjël.
Sistemi bankar për 6-mujorin e këtij viti i ka zgjeruar fitimet me 2.2 herë krahasuar me një vit më parë, duke një rezultat neto prej 11.5 miliardë lekësh. Megjithatë, kjo rritje e fitimeve nuk ka ardhur nga interesat, por falë zgjerimit të të ardhurave nga aktivitetet e tjera, sidomos ato të këmbimit valutor. Gjithashtu, në rritje të lartë kanë rezultuar edhe të ardhurat e jashtëzakonshme, që i referohen kryesisht shitjes së kolateraleve nga kreditë e humbua.
Faktor tjetër me shumë peshë në zgjerimin e fitimeve ishte ulja e shpenzimeve për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë me probleme. Shpenzimet për provigjione këtë 6-mujor ishin vetëm 1.4 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo tregon se përmirësimi cilësor i portofolit të kredisë ka ndikuar në rritjen e fitimeve të bankave, por edhe një fleksibilitetet më të madh në interesat e ofruara për klientët, siç dëshmohet nga rënia e të ardhurave prej këtij zëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.