Të ardhurat nga parkimi – Në 3 muaj shiten 95 mijë bileta vetëm në sheshe
Sheshet e vëna në dispozicion si parkingje publike në kryeqytet duket se po krijojnë të ardhura të kënaqshme për Bashkinë e Tiranës.
Të dhënat mbi numrin e biletave të shitura në sheshet “Eco Parking” gjatë periudhës Janar-Mars 2017 të raportuara nga Agjencia Tirana-Parking, tregojnë se në total është regjistruar një shifër prej 95.263 biletash, që i përkasin vetëm 8 shesheve publike.
Konkretisht bëhet fjalë për Sheshin Dinamo, Infosoft, Asllan Rusi, Avni Rustemi, Diga e Liqenit, Qyteti Studenti, Piramida dhe Sheshi te Shkolla Kosova. Tre sheshet e fundit janë hapur përkatësisht në muajin Shkurt dhe Mars.
Muaji më produktiv sa i përket numrit të biletave të shitura ka qenë Shkurti, që arrin edhe shifrën më të lartë në 35,135 bileta.
Po ta llogarisim me një vlerë mesatare prej 100 lekësh për biletë, vetëm të ardhurat e krijuara në këtë periudhë arrijnë në 9.5 milion lekë.
Ndërsa gjatë gjithë vitit 2016 në sheshe janë shitur në total 303.093 bileta parkimi.
Të ardhurat nga parkingjet publike janë parashikuar të rriten edhe më tej, pasi së shpejti priten të hapen dy parkingje me hapësira të konsiderueshme si ai i Sheshit Skënderbej dhe parkingu nëntokësor në Bulevardin e Ri të Tiranës, ndërsa po kryhen studime fizibiliteti edhe për disa sheshe të reja që do të vendosen në dispozicion për këtë qëllim, në lagje ku hapësirat për parkime në rrugë janë më të kufizuara.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.