Të ardhurat nga privatizimet – Në 7 muaj arkëtohen 354 milionë lekë

Të ardhurat nga privatizimet e objekteve shtetërore ndër vite kanë qenë një zë i rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Por me privatizimin e objekteve strategjike, këto të ardhura janë ulur.
Tashmë “pronë e shtetit”, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë mbetur mjaft objekte “të vogla”.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga privatizimet për periudhën 7-mujore kapën vlerën e 354 milion lekëve.
Ndërkohë referuar ligjit të buxhetit, nuk ka një parashikim se sa është fondi që qeveria parashikon të arkëtojë në buxhetin e shtetit nga ky zë për gjithë vitin.
Por nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, tashmë është përgatitur paketa e katërt e privatizimit me 50 objekte, të ish-ndërmarrjeve shtetërore tashmë në faliment.
Objektet shtrihen në të gjithë vendin, por një pjesë e madhe e tyre u përkasin kryesisht institucioneve si Ministrisë së Transporteve, Qarkut të Elbasanit, Ministrisë së Mjedisit dhe Drejtorisë së Ruajtjes së Rezervave të shtetit.
Nga dikasteri i Zhvillimit Ekonomik janë hartuar dhe tre lista të mëparshme, secila me 60 dhe nga 40 objekte që i janë paraqitur tashmë në Ministrinë e Financave.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.