Të ardhurat nga shërbimet – 289 milionë euro për tremujorin e parë
Ndërkohë që deficiti tregtar i mallrave këtë vit është thelluar, shërbimet ngelen një amortizator i rëndësishëm për të ngushtuar deficitin e llogarisë korrente të ekonomisë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci tregtar i shërbimeve për tremujorin e parë të vitit ishte pozitiv për 289 milionë euro, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Eksportet e shërbimeve kanë një rëndësi të madhe në bilancin tregtar të vendit. Historikisht, Shqipëria ka pasur një bilanc negativ në tregtinë e mallrave, por është pikërisht tregtia e shërbimeve që, sidomos në dekadën e fundit, ka ndihmuar në ngushtimin e deficitit total.
Eksporti i shërbimeve përfshin një gamë të gjerë sektorësh, që nga turizmi dhe deri tek fasonet. Turizmi në tremujorin e parë të vitit dha një kontribut më të vogël se pritshmëritë. Të ardhurat neto, të matura si diferencë mes turizmit hyrës dhe atij dalës ishin 76 milionë euro, dy milionë euro më pak krahasuar me një vit më parë. Shpenzimet e shqiptarëve jashtë janë rritur ndjeshëm, çka e ka ulur ndjeshëm kontributin neto të këtij sektori në bilancin e pagesave.
Por, rritja e suficitit të shërbimeve u mbështet sidomos nga sektori i fasoneve. Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimi i përpunimit të mallrave për kontraktorë të huaj për tremujorin e parë të vitit ishin 123 milionë euro, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.