Të ardhurat nga tregtimi i titujve – Deutsche Bank, Barclays mbeten pas rivalëve në Shtetet e Bashkuara
Deutsche Bank dhe Barclays, raportuan rënie në të ardhurat nga tregtia, duke mbetur pas rivalëve në Shtetet e Bashkuara. Deutsche Bank publikoi një rënie me 10% në të ardhurat për tremujorin e tretë, duke reflektuar tregun e dobët dhe efektet nga ristrukturimi.
Megjithatë, huadhënësi më i madh në Gjermani raportoi se uljet e kostove kanë nxitur rritjen e fitimit sipër vlerësimeve nga analistët.
“Ndërsa mjedisi i të ardhurave mbetet sfidues, ne kemi bërë progres në iniciativat kryesore“, tha kreu ekzekutiv John Cryan.
Deutsche Bank lajmëroi në muaji Mars një riorganizim, ku përfshihej integrimi i njësisë retail Postbank si dhe shitja e pjesshme e njësisë së manaxhimit të aktiveve.
“Përfitimet nga këto do të bëhen më të dukshme në tremujorët e ardhshëm”, tha kreu ekzekutiv. Megjithatë, banka paralajmëroi se mjedisi sfidues mund të vazhdojë në tremujorin e katërt.
Fitim neto i Detusche Bank u rrit në 649 milionë euro, pavarësisht rënies në të ardhurat nga bankingu i investimeve.
Të ardhurat nga njësia e tregtimit të titujve të borxhit ranë me 36% për shkak të aktivitetit të ulët të klientit në tregje me pak luhatshmëri.
Pjesa totale e tregut në bankingun global të investimeve ra në 3.3% nga 3.6%. Edhe Barclays, huadhënësi britanik, ka treguar një performancë të dobët në bankingun e investimeve, duke mbetur pas të dy, krahasuar me homologët në SHBA.
Barclays raportoi se fitimi përpara taksave për tremujorin e tretë arriti 1.1 miliardë paund, poshtë vlerësimeve të analistëve, gjë që solli rënien me 7% në vlerë tregu gjatë hapjes së sesionit tregtar.
Të ardhurat nga tregtimi i titujve të borxhit dhe të kapitalit ranë me 31%, krahasuar me një rënie mesatare prej 15% në 5 bankat më të mëdha të investimit në SHBA.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.