Të ardhurat nga vaksina e Pfizer – Kompania vlerëson 65 mld USD për këtë vit dhe tjetrin
Pfizer deklaroi se pret që të ardhurat në vitin 2021 nga vaksina e Covid-19 që ka zhvilluar me partnerin gjerman BioNtech, të arijnë në 36 miliardë dollarë, ndërkohë që projektoi edhe 29 miliardë dollarë të tjera nga vaksina në vitin 2022, duke thyer projeksioent e analistëve për të 2 vitet. Kompania amerikane theksoi se pret të nënshkruajë më shumë marrëveshje të vaksinës me shtetet, ç’ka mund të nxisë shitjet edhe më lart vitin e ardhshëm. Kompania ka një kapacitet të prodhojë 4 miliardë doza në vitin 2022.
Megjithatë, ekzekutivi Albert Bourla, tha se është i shqetësuar se vendet me të ardhura të ulëta e të mesme nuk do të mund të bëjnë porosi në momentin e duhur vitin e ardhshëm, dhe mund të mbeten përsëri pas vendeve të pasura. “vendet me të ardhura të larta, kanë tendencën të jenë më proaktive dhe po bëjnë porosi. Unë dua të sigurohem që ta thëm publikisht, ato duhet të bëjnë porosi dhe pikë”- tha Bourla. Pfizer bëri të ditur se pret të dërgojë të paktën 1 miliardë doza të vaksinës tek vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.
Vaksina gjeneroi shitje prej 13 miliardë dollarë në tremujorin e tretë. Kompania ndan fitimet bruto nga shitjet e vaksinës me BioNtech. Përtej vitit 2022, Pfizer tha se pret që tregu për vaksinat e Covid-19 të jetë i qëndrueshëm, dhe të vazhdojë të gjenerojë të ardhura. Aksionet e Pfizer u rritën me mbi 5% në 45,92 dollarë. Përdiësimi i projeksioneve për shitjen i Pfizer sugjeron që vaksina do përbëjë rreth 44% të të ardhurave për vitin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.