Të dhënat për Tetorin – Ulet numri i aksidenteve. Përgjegjësit kryesor, grup – mosha 25 -35 vjeç
Aksidentet rrugore gjatë muajit Tetor të këtij viti kanë shënuar një rënie. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave, i cili gjatë këtij muaji numëron rreth 184 aksidente rrugore, që krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2016, ka një rënie me 4.7 për qind.
Sa i përket numrit të aksidentuarve, sipas të dhënave të INSTAT rezultojnë të jenë 223 persona, që sërish kanë shënuar një rënie në krahasim me Tetorin e 2016. Bazuar në raport, gjatë muajit Tetor nga aksidentet rrugore kanë mbetur të plagosur rreth 203 persona, ku 144 prej rasteve janë meshkuj, raporton portali SCAN.
Numri i të plagosurve gjatë kësaj periudhe ka shënuar një rënie të ndjeshme nga muaji Tetor i 2016, ku sipas të dhënave kishin mbetur të plagosur 230 persona. Po ashtu, ky numër është ulur me 2.9 për qind krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë, nga të dhënat rezulton se shumica dërrmuese e aksidenteve njësoj si në Tetorin e vitit 2016 kanë ndodhur si rezultat i sjelljes së drejtuesve të mjetit. Po ashtu, gjatë dhjetëmujorit 2017, rreth 81.5 për qind e aksidenteve rrugore janë shkaktuar po nga sjellja e drejtuesit të mjetit.
Grup- mosha që ka shkaktuar edhe numrin më të madh të aksidenteve për muajin Tetor 2017, rreth 27.7 për qind është 25 – 35 vjeç. Nga të dhënat, evidentohet një rënie në krahasim me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sa i përket personave të larguar nga vendi i ngjarjes, për Tetorin e këtij viti numërohen rreth 14 raste, nga 12 që ishin në Tetorin e 2016. Ndërsa lidhur me numrin e të vdekurve nga aksidentet rrugore mësohet se për muajin Tetor 2017 numri i të vdekurve për 100 000 banorë ishte afërsisht 1 person.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.