Të dhënat personale dhe privatësia – “Beteja” e epokës dixhitale

Mbrojtja e privatësisë në kushtet kur teknologjia e informacionit po ecën me hapa të vrullshëm, ekspozimi është rritur ndjeshëm, dhe në kushtet kur shoqëria ka 1001 probleme, duket si mendimi i fundit që mund t’i shqetësojë qytetarët. Por, fakt është se edhe pse në një formë të vakët, ndërgjegjësimi ka filluar të rritet, të paktën në rastet kur institucione të tjera shpërdorojnë të dhënat e qytetarëve, duke i ekspozuar ato në palë të treta, apo duke i bërë publike për një masë të gjerë. Ndërsa në rastet e vetëekspozimit, përdorimi i rrjeteve sociale pa kriter tregon se privatësia e individëve është gjëja më e aksesueshme e mundshme.
Prej vitesh në Shqipëri, funksionon në mënyrë aktive Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ndërmerr kontrolle të herëpashershme në institucione publike e private për garantimin e privatësisë së qytetarëve, ndërsa shërben edhe si një vend ku mund të ankohesh për institucione të caktuara. Trendi i gjobave ndaj bizneseve abuzuese është rritur ndjeshëm, thuajse dyfishuar, çka tregon mungesë kujdesi në këtë drejtim, por dhe rritje të ndërgjegjësimit.
Ankesa për privatësinë
Gjatë vitit 2016 pranë Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë depozituar rreth 150 ankesa. Prej tyre, 94 ankesa kanë rezultuar në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Raporti vjetor i Komisionerit për vitin 2016, bën me dije se ankesat kanë të bëjnë kryesisht me publikimin e të dhënave personale në media dhe në faqet zyrtare në internet të institucioneve të ndryshme publike dhe private; përhapjes së paligjshme të të dhënave personale nga institucionet publike si Policia e Shtetit, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Arsimit, etj; ushtrimit të të drejtës për akses së subjekteve për korrigjim/ fshirje të të dhënave personale; vendosjes së kamerave në ambiente publike; marketingut të drejtpërdrejtë në lidhje me komunikimet e pa kërkuara, nëpërmjet telefonit ose postës telefonike.
Marketingu telefonik
Jo të pakta janë rastet kur ju bie telefoni dhe kompani të ndryshme që shesin produkte fillojnë të reklamojnë atë që ofrojnë pa ju pyetur madje edhe nëse jeni të gatshëm t’i dëgjoni. Po ashtu jo të pakta janë rastet kur mesazhe të shumta promocionale nga spitale, klinika private, koncesionarë, etj, mbërrijnë në numrin tuaj celuar në orë të ndryshme. Kjo problematikë është një shqetësim i hershëm, ku jo vetëm kompanitë celulare që kanë akses në të dhënat e qytetarëve, por edhe kompani të tjera marketingu, apo biznese të ndryshme kanë gjetur mundësi për të pasur akses në këto të dhëna dhe përdorin numrat celularë apo fiks për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Aksesi mbi këto të dhëna në pjesën më të madhe të rasteve është i paautorizuar nga individët. Kjo gjë ndodh edhe me postën elektronike, ku një numër i lartë sipërmarrjesh private dërgojnë e-mail-e publicitare të pa kërkuara. Po të analizojmë të dhënat ndër vite, numri i ankesave është rritur ndjeshëm, pasi në vitin 2014 janë regjistruar 73 ankesa, në vitin 2015, 140 ankesa dhe në vitin 2016, 150 ankesa, gjë që tregon edhe rritjen e ndërgjegjësimit.
Ekspozimi nga gjykatat
Sektori i drejtësisë është një ndër më problematikët për qytetarët, dhe që ka nxitur dhe rritjen e numrit të ankesave. Disponimi i të dhënave personale në çështje të shumta gjyqësore dhe publikimi i tyre online, është ngritur disa herë si shqetësim dhe Komisioneri ka kërkuar marrjen e masave nga institucionet e drejtësisë që të jenë më të kujdesshëm, duke i ruajtur këto të dhëna dhe duke mos i bërë publike vendimet e marra. Shpesh herë ndaj këtyre institucioneve janë ndërmarrë masa administrative me gjobë, por duket se situata sërish vijon të jetë problematike. Ndërkohë që mungesa e transparencës së nevojshme konsiderohet si problematike. “Nga monitorimi i autoriteteve publike rezulton se mbetet ende problematik hartimi i programeve të transparencës për sistemin gjyqësor, pushtetin vendor, shoqëritë tregtare dhe një pjesë të mirë të institucioneve qendrore. Gjithashtu, një problematikë tjetër është edhe cilësia dhe përditësimi i programeve të transparencës për ato institucione që e kanë tashmë një të tillë”, shprehet Besnik Dervishi, Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Hetimet administrative
Gjatë këtij vitit 2016 janë kryer 179 inspektime në terren dhe online. Inspektimet online janë kryer në organet e vetëqeverisjes vendore, në 61 bashkitë të cilat ofrojnë shërbime nëpërmjet proceseve që përfshijnë mbledhjen, grumbullimin dhe komunikimin e të dhënave personale. Janë kryer 118 inspektime administrative në terren, që korrespondojnë me 84 kontrollues privatë dhe 34 publikë. Zyra e Komisionerit e ka shtrirë kontrollin administrativ edhe në 34 kontrollues, të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Kontrollet administrative janë kryer në këta sektorë: arsimi parauniversitar, drejtori arsimore rajonale, shëndetësi, media, telekomunikacion, marketingu i drejtpërdrejtë, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në zyrat e përmbarimit privat, shëndetësi (spitale, klinika dhe laboratorë mjekësorë privatë, si dhe spitale rajonale dhe qendra spitalore shtetërore), agjensi turistike, hoteleri, agjenci private punësimi. Hetimet administrative janë realizuar kryesisht në kontrollues me seli në Tiranë, por, edhe në disa rrethe të tjera të vendit, si Korçë, Pogradec, Fier, Vlorë, Berat dhe Shkodër. Edhe numri i hetimeve administrative është rritur nga viti në vit, ndërsa në total në të gjtithë vendin regjistrohen 5169 subjekte kontrolluese që kanë akses dhe përpunojnë të dhëna personale nga qytetarët. Ndërkohë janë dhënë 99 rekomandime, ku 70 janë për subjekte publike dhe 29 për subjekte private.
Gjoba subjekteve abuzuese
Gjatë vitit që lamë pas numri i gjobave të vendosura ndaj subjekteve publike dhe private është dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Konkretisht, gjatë 2016-ës janë vendosur 97 sanksione administrative, nga 54 në vitin 2015, apo nga 19 në vitin 2014. Në mbyllje të procedurave hetimore, në raste kur shkeljet kanë qenë serioze dhe kur nuk janë marrë masa për përmbushjen e rekomandimeve përkatëse, Zyra e Komisionerit ka dalë me 46 vendime të cilat korrespondojnë me 97 sanksione administrative. 24 vendime me 46 sanksione i adresohen institucioneve publike, ndërsa 22 vendime me 51 sanksione i adresohen sipërmarrjeve private. Për vitin 2016, sanksionet e vendosura arrijnë në vlerën e 5.3 milionë lekëve .
Spitale e klinika rekord shpërdorimi
Spitale shtetërore e private si dhe klinika kryesisht private kanë mbajtur rekord gjatë vitit 2016 për shpërdorimin e të dhënave të pacientëve. Nga vendimet e marra nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë vitit që lamë pas, vihet re se 24 vendime kanë gjobitur klinikat private dhe spitalet shtetërore me vlera gjobash, duke filluar nga 20 mijë deri në 2 milionë lekë. Nga institucionet shtetërore, vendime penalizuese janë marrë kundrejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalit Universitar të Traumës, spitalit rajonal Elbasan, Sarandë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, materniteteve “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa në vendimet penalizuese janë edhe një sërë klinikash private që funksionojnë në vend. Në vendin e dytë sa i përket shkeljeve renditen disa drejtori arsimore rajonale, si Berat, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Vlorë, Fier, Durrës, Korçë, Dibër, Kukës, Lezhë, të ndjekura nga kompani shitjesh përmes telefonatave. Sipas legjislacionit në fuqi, gjoba arkëtohet nga kundravajtësi në Buxhetin e Shtetit, jo më vonë se 30 ditë nga komunikimi i vendimit. Me kalimin e afatit, vendimi kthehet në titull ekzekutiv, dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga zyra e përmbarimit. Disa prej biznesve të penalizuara i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, procese të cilat në të shumtën e rasteve janë fituar nga Komisioneri.
Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.