Të dhënat personale të prindërve në shkolla – MASR sqaron publikun
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka sqaruar komunitetin e prindërve dhe publikun lidhur me kërkesën për mbledhjen e të dhënave nga prindërit, që përfshin edhe vendosjen e numrit personal të kartës së identitetit si element sigurie.
Përmes një njoftimi zyrtar, MASR është shprehur se qëllimi i këtij procesi është vetëm informimi i prindërve mbi atë që ndodh në çdo orë mësimi në çdo shkollë të vendit.
“Për ta bërë efektiv dhe të sigurt këtë proces, është parë e nevojshme nga specialistët vendosja e NID si element sigurie, për të shmangur çdo gabim raportimi të të dhënave në emër dhe mbiemër që informacioni të jetë sa më i saktë dhe të shmang dublikimet”, thuhet më tej në njoftim.
MASR ka deklaruar se po krijon rrjetin e komunikimit në kohë reale me prindërit dhe mësuesit. Sipas saj, ky sistem do të rrisë transparencë e stafeve të shkollave kundrejt prindërve, duke vënë në dijeni këto të fundit për çdo rezultat apo nismë që do të ndërmerret.
Ministrja e MASR, Lindita Nikolla, ka urdhëruar heqjen e kësaj kërkese me qëllim shmangien e spekulimeve politike. Ndërkohë, ministria bën me dije se do të vijojë ngritja e rrjetit të bashkëqeverisjes me prindërit dhe mësuesit edhe në mungesë të elementit NID.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.