Të dhënat që do të përmbajë Kadastra Fiskale/ Masa e taksës, vonesat në pagesë, përjashtimet!Çfarë do të shënohet në regjistër
r
Pas diskutimeve të shumta, qeveria ka miratuar krijimin e regjistrit qendror të bazës së të dhënave për llogaritjen e taksës vendore të ndërtesave apo siç njihet ndryshme kadastra fiskale.
Regjistri Qendror i Bazës të të Dhënave për Llogaritjen e Taksës Vendore mbi Pasurinë e Paluajtshme “ndërtesë” (RQTVPP) do të administrohet në formë elektronike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë (DPTP).
“Popullimi i vazhdueshëm i të dhënave në RQTVPP, për efekt të vlerësimit të bazës së taksueshme për ndërtesat, për rrjedhojë edhe të taksës vendore të ndërtesës, bëhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore nën monitorimin dhe asistencën e DPTP-së, në bazë të aksesit për territorin në juridiksionin administrativ përkatës” përcaktohet në vendim.
Regjistri do të përmbajë të dhëna në nivel kombëtar vetëm për qëllimin e llogaritjes së taksës së pasurisë së paluajtshme. Këto të dhëna përpunohen dhe analizohen nga DPTP-ja, që është dhënësi i vetëm i informacionit që përmban ky regjistër.
Të dhënat që përmban Regjistri ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore.
Të dhënat parësore që do të shënohen në regjistër janë të dhënat nga vetëdeklarimi dhe/ose verifikimi në terren, vlerësimi për detyrimin e taksës vjetore të pasurisë, kodi unik i ndërtesës, sipërfaqen e prezumuar sipas vjetërsisë së ndërtesës, rastet e përjashtimeve, pagesat periodike dhe progresive të taksës së ndërtesës të kryera nga taksapaguesi, detyrimet e mbetura/të papaguara të taksës së ndërtesës/njësisë pronësore, të dhënat për marrëveshjen e pagesës me këste apo apelimet e tatimpaguesve për të siguruar procesin e apelimit të digjitalizuar.
Të dhënat dytësore janë të dhënat për sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme ndërtesë, vjetërsinë e ndërtesës, si dhe të dhëna teknike, që shërbejnë për vlerësimin e saj, vlerën e pasurisë së paluajtshme, ndërtesë/njësi pronësore, adresën e saktë të vendndodhjes së pasurisë së paluajtshme ndërtesë etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.