Të dytët në Europë për tregun ajror – Projeksionet, kapacitetet do rriten me 23% në tremujorin e dytë
Tregu ajror shqiptar do të jetë i dyti me rritjen më të shpejtë në Europë në tremujorin e dytë të vitit, projekton “Anna.Aereo”, rrjeti që merret me analizën e sektorit. Kështu, për Shqipërinë rritja e kapaciteteve të ndenjëseve nëpër fluturimet ajrore , pritet të jetë në masën 23.2%, sipas këtyre projeksioneve. Një rritje e tillë e katapulton Shqipërinë në vendin e dytë të shteteve europiane në terma rritje të sektorit, pas Gjibraltarit.
Pjesë e listës me 15 shtetet me rritjen më të madhe janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Serbia do të njohin të gjitha një rritje të madhe, por jo në ritmet e Shqipërisë. Për hemisferën veriore të kontinentit të vjetër, 1 Prilli shënon edhe fillimin e sezonit veror.
Ky projeksion mbi rritjen e kapaciteteve të trafikut ajror në vendin tonë është në linjë me një sërë projeksionesh të tjera që sinjalizojnë se ky sezon veror do të sjellë një bum të ri turistësh të huaj në vendin tonë. Disa prej gjigandëve më të mëdhenj të sektorit, si “Lonely Planet” apo “Booking” kanë renditur Shqipërinë ndër destinacionet kryesore të 2019-ës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.