Të fundit edhe për dijen – Shqipëria renditet e 78-ta në botë ndër 131 shtete

Shqipëria nuk është aspak në pozita të favorshme në drejtim të dijes. “Indeksi Global i Dijes” e rendit vendin tonë të 78-tin në botë, ndër 131 vende. Ky indeks përpilohet nga programi për zhvillim i kombeve të bashkuara (PNUD), UNESCO dhe një fondacion privat.
Ky është edicioni i parë i publikimit. Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 6 kritereve kyçe, të cilat më pas zbërthehen në rreth 150 nënindikatorë të tjerë. Gjashtë fushat kryesore janë: arsimi para-universitar, arsimi i lartë, kërkimi dhe zhvillimi, trajnimi dhe arsimi teknik, informacioni dhe teknologjia e telekomunikimit si dhe ekonomia.
Në indeks përfshihet dhe një indikator i 7-të, ambienti i përgjithshëm, që e rendit vendin tonë të 61-tin në botë.
Performancën më të mirë, ndër indikatorët kyç, Shqipëria e regjistron në atë të arsimit para-universitar, ku renditet e 62-ta në botë, dhe performancën më të dobët në drejtim të kërkimit dhe zhvillimit, ku renditet vetëm e 119-ta në botë. Vetëm në atë të trajnimit dhe të arsimit parauniversitar, Shqipëria është mbi mesataren globale.
Në indeksin e përgjithshëm të dijes, Shqipëria grumbullon vetëm 43 pikë, nga 47 që është mesatarja globale. Në indikatorin që i referohet ekonomisë ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë.
Në krahasim me Europën, Shqipëria është vendi i fundit në absolut, me pikët më të ulëta dhe renditjen më të dobët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.