Të fundit në Europë – Raporti për teknologjinë e informacionit, në vendin e 89 në botë
Shqipëria ka bërë shumë pak hapa para në drejtim të teknologjisë së informacionit, në krahasim me një vit më parë. Raporti i matjes së shoqërisë së informacionit, që publikohet çdo vit nga unioni ndërkombëtar i telekomunikacionit, e rendit Shqipërinë të 89-tën në botë, ndër 176 shtete të ndryshme. Edhe në raportin e një viti më parë, vendi ynë mbante të njëjtat pozita në renditjen globale.
Ky raport njihet gjerësisht si më i rëndësishmi në llojin e tij, edhe nga qeveri të ndryshme të globit, pasi përfshin një bazë mjaft të gjerë të dhënash të analizuara, por edhe për faktin se publikohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit. Pavarësisht se mbetet po në vendin e 89-të , aq sa një vit më parë, Shqipëria ka bërë një progres të lehtë në krahasim me veten, pasi ka shtuar pikët, nga 4.9 në 5.14.
Indeksi i përgjithshëm quhet IDI, ose indeksi i zhvillimit, dhe përllogaritet mbi bazën e 11 nën-indikatorëve të tjerë. Në rajon, Shqipëria është e fundit dhe rezulton e fundit edhe në Europë. Madje, diçka e tillë, nënvizohet disa herë mes rreshtave të raportit, ku thuhet se, vetëm një shtet europian, Shqipëria, thyen rregullin; atë që të gjitha vendet europiane të jenë në gjysmën e parë të raportit.
Sa i përket nën—indikatorëve ndërkohë, Shqipëria regjistron performancën më të keqe në atë të aksesit, e renditur e 106-ta në botë. Këtu ka detaje edhe më të hollësishme, si fakti që vetëm 27.7% e familjarëve kanë kompjuter në shtëpi, apo që vetëm 37% e tyre kanë internet në shtëpi, dhe se vetëm 66.4% e shqiptarëve e përdorin internetin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.