Të fundit për shëndetësinë – Shqipëria, shërbimin më të keq mes 35 shteteve europiane

Shqipëria është në vend të fundit mes 35 shteteve Europiane, në “Indeksin e Shëndetit Konsumator 2018” të matur nga instituti suedez, Health Consumer Powerhouese. Indeksi mat se në çfarë mase, secili nga 35 vendet e marra në analizë përmbush pritshmëritë e një kujdesi shëndetësor të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve. Sipas raportit, Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor, por ministria shqiptare e shëndetësisë e arsyeton kështu nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor: “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”.
Pra kemi të bëjmë me një “nënpërdorim të sistemit të kujdesit shëndetësor. Por, raporti vijon më tej duke thënë se ky është vetëm një thjeshtim i situatës, pasi shqiptarët e vizitojnë doktorin e kujdesit parësor më shumë se dy herë krahasuar me suedezët. Shqiptarët kanë 3.7 vizita në vit, kundrejt 1.7 vizita të suedezëve. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të Ballkanit kanë bërë progres në drejtim të përmirësimit të shëndetit konsumator.
Serbia vijon të ngjitet në renditje, duke zënë vendin e 18-të si rrjedhojë e shkurtimit të kohës së pritjes dhe investimeve në skanera dhe zbatimit të recetave elektronike. Edhe Mali i Zi është përmirësuar në renditje, duke u ngjitur në vendin e 23. Shqipëria ka dhe shpenzimet më të ulëta për frymë për kujdesin shëndetësor, të matura sipas paritetit të fuqisë blerëse. Një tjetër tregues ku jemi të fundit është numri i doktorëve për 100 mijë banorë.
Pacientët shqiptarë nuk kanë akses as te të dhënat e tyre mjekësore dhe as nuk ndërveprojnë me mjekun përmes telefonit ose internetit, por paraqiten fizikisht pranë qendrës më të afërt. Shqipëria ka dhe nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Europë, me 12 vdekje për 1,000 lindje. Shërbimin më të mirë shëndetësor në Europë tashmë e ka Zvicra, duke ia kaluar Holandës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.