Të gjithë kundër Trump – “FMN”, “BB, “OBT”, “ILO”, dokument për tregtinë e lirë
Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë janë bërë së bashku për t`i bërë apel qeverive të ndryshme të globit që të bëjnë diçka për të rregulluar disi disbalancat e krijuara si pasojë e tregtisë botërore, ose globalizimit thënë shkurt. Të tre institucionet janë simboli i globalizimit dhe apeli vjen si një përgjigje ndaj përpjekjeve të Donald Trump për politika më proteksioniste.
Agresiviteti i administratës së re amerikane tashmë po manifestohet edhe me anijet luftarake të pozicionuara në gadishullin korean. Kjo vjen në një kohë që, Azia, sipas projeksioneve më të fundit, do të gjenerojë 60% të rritjes ekonomike globale në 2017. Azia është kontinenti më i kërcënuar nga Trump. Nga 16 shtete mbi të cilat Amerika do të ndërmarrë masa si pasojë e suficitit tregtar, 9 prej tyre ndodhen pikërisht në Azi.
Vetëm Kina ka një suficit në 347 miliardë dollarë. Më pas ndjekin Japonia, Vietnami dhe Korea e Jugut. Një e pesta e eksporteve vietnameze përfundojnë në Shtetet e Bashkuara. Sipas vlerësimeve të fundit të Credit Suisse, vendosja e tarifave të reja nga administrata Trump do të eliminojë një pikë përqindje të prodhimit të Brendshëm Bruto të Vietnamit.
Të tre institucionet e lartpërmendura, së bashku me kancelaren Merkel, Organizatën Botërore të Punës si dhe atë për siguri dhe bashkëpunim në Europë, kanë nënshkruar një dokument të përbashkët në mbrojtje të tregtisë së lirë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.