Të huajt zgjedhin Tiranën për biznes/ Dominon konsulenca dhe tregtia me shumicë

Në të gjithë vendin, operojnë në total 6443 biznese me pronësi të huaj apo të përbashkët, nga afro 155.900 ndërmarrje të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, apo 4 % të totalit.
Ajo që vihet re është se shumica e subjekteve kanë parë kryeqytetin si hapsirën më tërheqëse për të zhvilluar aktivitetin e tyre, kjo për shkak edhe se në Tiranë është përqendruar numri më i lartë i popullisë, pjesa më madhe e shërbimeve, çka bën që konsumi të jetë më i lartë si dhe standardi ekonomik, gjë që premton në një farë forme edhe suksesin e këtyre bizneseve.
Afro 65.7 për qind të ndërmarrjeve të huaja ose të përbashkëta në vend, apo 7 në 10 biznese, ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë. Sipas të dhënave të Bashkisë Tiranë, 4232 subjekte të huaja apo me pronësi të përbashkët zhvillojnë aktivitet në kryeqytet, çka përbën 9 për qind të totalit.
Aktivitetet ekonomike të konsulencës menaxheriale dhe tregtisë me shumicë, janë sektorët ku kryesisht pronarët / bashkëpronarët janë të huaj.
Nga viti në vit numri i subjekteve të huaja në kryeqytet ka pësuar rritje të vazhdueshme, me +1.12% në 2019 dhe +29.5% në 2018.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.