Të lësh Shqipërinë dhe shtetësinë – Pakësohen shqiptarët dhe shtohen…iranianët

Përveç tendencës për të lënë Shqipërinë, gjithnjë e më shumë shqiptarë po lënë edhe shtetësinë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vitin e kaluar 651 individë hoqën dorë nga shtetësia shqiptare, me një rritje prej afro 33% krahasuar me një vit më parë.
Numri i individëve që e lanë shtetësinë shqiptare ishte mbi dy herë më i lartë krahasuar me numrin e personave që e morën atë vitin e kaluar. Ndërsa anketimet tregojnë një prirje të lartë të shqiptarëve për t’u larguar nga vendi i tyre, shifrat e të huajve që vijnë për të qëndruar në Shqipëri janë në rritje.
Vitin e kaluar, aplikimet për leje qëndrimi ishin më shumë se 9 mijë. Ndërkohë, numri total i të huajve që qëndrojnë në Shqipëri me leje qëndrimi ka arritur në afro 13 mijë, niveli më i lartë i dekadës së fundit.
Fakti kurioz është që, për të dytin vit radhazi, numrin e aplikimeve për leje qëndrimi e kryesojnë shtetasit iranianë. Në dy vitet e fundit, kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri mbi 4 mijë shtetas nga ky vend.
Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një valë të mirëfilltë emigracioni, por kryesisht për një komunitet disidentësh të regjimit iranian, të cilët Shqipëria ka pranuar t’i strehojë përmes një marrëveshjeje me SHBA.
Pas iranianëve, numri më i madh i shtetasve të huaj që aplikuan për leje qëndrimi vitin e kaluar ishin italianë, kosovarë dhe turq.
Afërsisht gjysma e të huajve që qëndrojnë në Shqipëri vijën për arsye punësimi, ndërsa pjesa tjetër për bashkim familjar, studime apo arsye humanitare. Të huajt vitin e kaluar përbënin afërsisht 0.4% të popullsisë rezidente në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.