Të martën në Bruksel, reformat e Shqipërisë – Flasin Mogherini dhe presidenti i PE, Tajani
“Shqipëria: e përkushtuar për t’u reformuar” është tema e eventit që do të zhvillohet më 20 Mars në Parlamentin Europian në Bruksel.
Në këtë konferencë do të mbajnë fjalimet e tyre Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, si dhe Përfaqësuesja e lartë e BE për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini.
Aktiviteti është planifikuar të nisë në mesditë, ndërsa detaje të tjera mbi natyrën e diskutimeve dhe pjesëmarrësve janë ende të pazbardhura.
Për shkak të nivelit të zyrtarëve të BE në këtë event, pritet që Shqipëria të përfaqësohet nga kryeministri Rama, i cili me shumë gjasa do të mbajë një deklaratë mbi zotimin e qeverisë për të ndjekur reformat e përcaktuara nga unioni, në mënyrë që të mund të kapet dritarja e anëtarësimit në vitin 2025.
Në konferencën e muajit Shkurt, Bashkimi Europian caktoi 6 shtyllat kryesore ku duhet të ndërmerren reforma në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto iniciativa janë sundimi i ligjit; siguria dhe emigracioni; zhvillimi social-ekonomik; ndërlidhja në transport dhe energji; axhenda digjitale; pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.