“Të mbyllet burgu i Burrelit”, AP: Kushtet nuk marrin “notë kaluese”
Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e burgut të Burrelit, pasi kushtet janë jashtë standardeve. Reagimi ka ardhur vetëm një dit më pas, pasi të dënuarit në këtë institucion paralajmëruan grevë urie.
“Menjëherë pas sinjalizimit në linjën tonë të dedikuar nga të burgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Burrel, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë mbërritur në këtë burg ku mësohet se disa të dënuar po refuzojnë ushqimin në kuadrin e një greve urie të shpallur prej tyre. Shkaqet kryesore të këtij refuzimi përfshijnë kushtet e këqija të jetesës në këtë institucion të vuajtjes së dënimit të cilat lidhen me infrastrukturën e vjetëruar dhe te amortizuar të këtij burgu. Gjithashtu, të dënuarit ngrenë pretendime mbi cilësinë e trajtimit ushqimor që u jepet në këtë institucion, për mungesën e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve, për procedurat e transferimit nga burgje të tjera për në burgun e Burrelit, etj”.
Institucioni i Avokatit të Popullit deklaron se prej të paktën tre vjetësh janë konstatuar kushtet e papërshtatshme të këtij institucioni.
“Është kërkuar nga ana e institucionit tonë mbyllja e burgut të Burrelit për shkak të kushteve të tij vërtet të vështira dhe aspak të përshtatshme për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë dinjitoze”.
Avokati i Popullit nënvizon se ndonëse në disa prej institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale anembanë Republikës vërehen përpjekje për përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve, zgjidhja tërësore dhe pa asnjë përjashtim e problemit të atyre burgjeve që ende nuk arrijnë të marrin “notë kaluese” për sa u përket kushteve që ofrojnë për qytetarët që kryejnë dënimet në to, mbetet një sfidë për autoritetet tona përgjegjëse.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.