Të paprekur nga Covid-19 – Manastirliu: Vigjilencë maksimale. Kreu i OBSH: Studim për rastin e Shqipërisë
Ka shkuar në 42 numri i rasteve të testuar për COVID 19, ndërkohë që Shqipëria mbetet e paprekur nga koronavirusi i ri. Në mbledhjen e radhës së Task-Forcës, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kërkoi vigjilencë maksimale nga an e strukturave, ndërkohë që pas urdhrit për përforcimin e higjienës në shkolla, MSHMS i ka kërkuar me një shkresë të posaçme bashkive dhe shërbimit të aviacionit civil të rrisin masat higjieno-sanitare.
“Pas urdhrit për shkollat dhe rekomandimeve të vazhdueshme për rritjen e masave të higjienieno-sanitare në strukturat spitalore, Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar me një shkresë edhe bashkive dhe shërbimit të aviacionit civil të rrisin masat higjieno-sanitare në linjat urbane dhe linjat e avionëve. Çdo masë e tillë, duke nisur nga higjiena personale është shumë e rëndësishme për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri”, u shpreh Manastirliu
Në takimin e Task-Forcës ishte i pranishëm drejtori i OBSH në Shqipëri, Raul Gonzales i cili kërkoi besim te institucionet shqiptare, ndërsa shtoi se po studiohet fakti se përse në vendin tonë nuk është konfirmuar asnjë rast me COVID 19.
“Pse nuk ka raste në Shqipëri? Ne si OBSh ju themi se duhet të besoni institucionet. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe e përgëzojmë për transparencën, tha Raul Gonzales, drejtori i OBSh në Shqipëri.
Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, Skënderj Brataj, gjatë raportimit në mbledhjen e Task-Forcës, tha se Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka skeduar 694 raste me skedën korona, ndërkohë që Najada Çomo, shefe e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh se, në spitalin infektiv nuk ka asnjë rast të rëndë qoftë nga gripi apo rastet e dyshuara nga koronavirusi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.