Të qeshurat e publikut janë suksesi im! Intervistë me regjisoren Elma Dorezi

Ajo është e re, por jo aq e re dhe e padëgjuar për publikun. Ai ia ka pëlqyer punët regjisores qysh në sprovat e saj të para. Epo ç’mund të themi? Goditi në shenjë duke i bërë të qeshnin, pasi preferon që të ngjisë në skenë më shumë komeditë.
Ajo i sjell veprat duke i parë nga një këndvështrim ndryshe siç ndodhi me “14 vjeç dhëndërr”. Ndoshta duhet të themi se ajo është e talentuar. Po, po në të kundërt nuk do ta kishim parë në kaq shumë projekte. Viti i shkuar ishte viti i regjisores Elma Dorezi.
Projektet e saj u shijuan e duartokitën nga publiku. Madje njëra prej shfaqeve të saj pati fatin e mirë të performonte shumë larg, në një publik krejt ndryshe nga ai që ishte mësuar. Por, jeta profesionale e një regjisoreje nuk është dhe aq e lehtë, veç suksesit ka edhe anën tjetër të medaljes. Vetë regjisorja na i thotë të gjitha.
2017-a ishte një vit shumë i suksesshëm për ju si regjisore, disa projekte në teatër, më pas shfaqja juaj “Zbutja e kryeneçes” u përzgjodh të shkonte në Kinë. Si u ndjeve Elma, kish ardhur koha të shpërblehej puna jote?
Kina do të mbetet gjatë tek unë për shumë arsye. Ndjesia e lumturisë së përzgjedhjes së shfaqjes sime (kjo duhet theksuar nga një komision i huaj, jo shqiptar), vajtja atje për herë të parë e Teatrit Shqiptar, përballja me një publik që nuk të njeh dhe nuk i njeh.
Ndjesi të paprovuara më parë, për të cilat ndihem me fat. Mendoj se çdokush do të donte të ishte në vendin tim, por fati desh që të isha unë e përzgjedhura. Mendoj se ai lart pa një ditë luftën dhe netët e kthyera në ditë dhe tha: Tani është momenti të shijosh!
Kasti i aktorëve shumë të mirë është ajo që të bie në sy në disa nga produksionet që ju keni ngjitur në skenë. Është e lehtë apo e vështirë të punosh me disa nga emrat më të mirë të teatrit? (i referohem “Kryeneçes”)
Kam punuar përherë me brezin e ri, se kështu do të na thuhet dhe për disa kohë dhe pse po vjen dita e pensionit për shumë prej nesh. Por, në eksperiencat e fundit duke qenë dhe pjesë e Teatrit Kombëtar kam gërshetuar brezat, siç ishte dhe rasti në shfaqjen “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti”.
Nuk ishte aspak e vështirë, përkundrazi një eksperiencë e bukur dhe një leksion i mirë për mua. Nuk e kam jetuar kohën e tyre, artin e tyre, por fal punës së Bujar Asqeriut, Raimonda Bulkut, Dritan Boricit dhe Sokol Angjelit jetova dhe unë disa ditë prej tyre.
Një disiplinë e theksuar e tyre, dua t’i mëshoj këtij fakti, një seriozitet dhe një krijimtari e pashteruar. Shikoja luftë e përpjekje tek ata çdo ditë për të realizuar atë që ne quajmë ” figurë artistike”. Sot dua t’i falenderoj të gjithë për atë çfarë dhanë e çfarë arritëm në këtë bashkëpunim.
Kur mendon që të ngjitësh në skenë një projekt të caktuar çfarë synon të realizosh e të transmetosh te publiku si regjisore?
Veprën që zgjedh ose më parë lexoj duhet të shoh nëse i përket aktualitetit tonë. A trajton ajo problematikat tona? A flet ajo tek ne? Nëse për të gjitha këto pyetje i gjen përgjigjet tek një vepër, atëherë i vë dhe qëllimin vetes për ta vendosur një ditë në skenë.
Mundohem që nëpërmjet shfaqjes dhe komponentëve që unë përzgjedh të them dhe një mendim timin personal, një qëndrim ideo-emocional timin. Dua që kur të dal nga salla ata të thonë: “U kënaqëm, por kishte dhe një mesazh të fortë që na dha”. Kaq dua dhe deri më sot them se ia kam dalë.
Çdo profesion ka sfidat e veta. Për ju regjisorët si është? Ka një “luftë” të themi, brenda llojit, apo është përshtypja ime?
Luftë tek ne?! A ka paqe ndonjëherë, duhet të pyesje. E vërteta e fshehur pas buzëqeshjeve është një luftë e cila përherë vjen në forma të ndryshme, por kurrë në profesionalizëm. Herë të shfaqet si “mik”, herë të shfaqet si dikush që kërkon “të mirën” tënde, herë të del përballë (por këta janë 1 në një milion) shpesh e gjen veten vetëm përballë tyre.
Të duhet madje dhe të “bërtasësh” por nuk ka më të keq se ata që kanë sy e nuk duan të shikojnë, deri në vetëmohimin e vetes. Por, të gjitha këto të takojnë të zgjedhësh në 2 rrugë: Të vazhdosh, ose të bëhesh pjesë e tyre. Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh përherë të parën dhe i mirëpres përherë ndoshta një ditë do të bëhet “luftë profesionale” dhe jo ‘personale´ndoshta..!
E parapëlqen më shumë komedinë. Pse?
Unë jam natyrë që e pëlqej dhe e dua shumë humorin. Fundja të jemi të lumtur për këtë. Sot e më shumë shoh njerëz përreth të trishtuar, njerëz që bërtasin për lumturinë, por mjafton t’i shohësh në sy e do të gjesh aty trishtim të thellë.
Jashtë skenës shoh njerëz që u mungon buzëqeshja dhe komedia e arti janë një formë për t’ua sjellë atë atyre që kanë harruar dhe ekzistencën e saj. Natën e fundit vendosa t’i dilja në krah, fshehtas njërit prej punonjësve të teatrit. E ndiqja çdo natë kur dilte pranë një lozheje dhe qeshte, qeshte me të madhe çdo natë për 18 netë rresht. Iu afrova dhe e pyes : -Vërtet të pëlqen kaq shumë shfaqja jonë? -Elma u kënaqa! Me shpirt po qesh. Kemi plot halle dhe kjo është ajo që na mungon. Kaq më duhej si natë finale për t’i thënë vetes, misioni u krye.
2018-a nisi gjithashtu mjaft mirë për ju Elma. Këtë herë ishte një vepër shqiptare? Projekte të tjera?
“Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti“ është një shfaqje që do ta mbaj mend gjatë në jetën time. Është një shfaqje që mori shumë luftë, por që në fund ia vlejti. Nisi mbarë për mua ky vit, por nuk di t’ju them vazhdimin e vitit. Tani jam në fazë “pushimi”.
Sa mund të ketë pushim për një regjisor ?! Jam duke lexuar vepra e nuk mund ta fsheh faktin se i kam piketuar disa. Por, nuk di t’ju them se kur do të rikthehem. Natën e fundit i dhashë lamtumirën time skenës së Teatrit, por me premtimin se një ditë do të takohemi sërish.
Dezdemona Mema/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.