Teknologjia e informacionit – Veliaj: Të gjitha shkollat e Tiranës do të pajisen me laboratorë modernë
Të gjitha shkollat e kryeqytetit do të pajisen me laboratorë modernë për zhvillimin e lëndës së teknologjisë së informacionit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në përurimin e laboratorit të ri prej 14 kompjuterash në shkollën “Vasil Shanto”, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani.
“Është shumë e rëndësishme që të investojmë edhe në infrastrukturë, por edhe në dhënien e dijeve, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. Duam që ta vijojmë këtë edhe me donatorë të tjerë, në të gjitha shkollat e Tiranës, për t’i pajisur ato me laboratorë modernë”, tha Veliaj.
Ndërkohë, transformimi i Piramidës do të japë një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e të rinjve për teknologjinë e informacionit. Sipas projektit të prezantuar pak ditë më parë nga kryebahskiaku Veliaj, piramida do të kthehet shumë shpejt në një qendër të madhe IT për të rinjtë.
“Fëmijët do të mësojnë si të kodojnë, si të bëjnë software, si të zhvillojnë programe kompjuterike, çka besoj se duke pasur një ‘fidanishte’ e cila fillon në teknologji të informacionit në shkollë dhe duke finalizuar pastaj me një qendër të madhe siç do të jetë Piramida, kemi siguruar një infrastrukturë për gjeneratën e ardhshme të të rinjve në Tiranë”, shtoi Veliaj.
Ndërkohë, ambasadorja Sourani vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe nisjen e këtij projekti, që sipas saj shërben si një shtysë për të rinjtë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.