Teknologjia frenon inflacionin – Zhvillimet e fundit po limitojnë ndikimin e politikave monetare
Përshpejtimi i teknologjisë së informacionit dhe rritja e fleksibiliteti në tregun e punës gjatë viteve të fundit mund të frenojnë inflacionin, duke ndikuar politikat monetare, thotë anëtari i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, Yves Mersch.
Komentet e politikëbërësit nënvizojnë shqetësimet se marrëdhënia e çmimeve të konsumit dhe caktimit të pagave mund të ketë ndryshuar rrënjësisht që prej krizës globale financiare, duke bërë politikat e BQE më pak efektive në përshpejtimin e inflacionin drejt objektivit. Pavarësisht rënies së papunësisë më shpejt se sa pritej dhe zgjerimit të ekonomisë së Eurozonës për të 17-in tremujor radhazi, inflacioni dhe pagat nuk janë ende aty ku duhet.
“Përmirësimet në logjistikë kanë sjellë rritjen e zinxhirëve globalë të vlerës dhe tregtia elektronike ka revolucionarizuar transparencën e vendosjes së çmimeve”, tha anëtari i bordit të BQE.
Sipas tij, këto zhvillime teknologjike mund të ndikojnë në reagimin e inflacionit ndaj goditjeve, kanalizimin e lëvizjeve të kursit të këmbimit te niveli i çmimeve dhe në ndikimin e brendshëm të zhvillimeve globale.
Këto ndryshime mund të reduktojnë ndikimin në inflacion dhe të “sheshojnë” të ashtuquajturën kurbën e Phillips-it, që ndjek marrëdhënien mes papunësisë dhe inflacionit.
Sipas anëtarit të BQE, inflacioni mund të përshpejtohet, në një nivel më të ulët të papunësisë se në të shkuarën, duke influencuar politikat monetare. Megjithatë, Mersch tha se mjetet jo-popullore të politikave monetare të përdorura që prej krizës financiare mund të mos jenë më të nevojshme ndërkohë që ekonomia globale normalizohet.
“Blerja e aktiveve, normat negative të interesit dhe skemat e kredisë që i japin incentiva bankave që të rrisin huadhënien, si operacionet e shënjestruara të rifinancimit në terma afat-gjatë, janë të gjitha mjete të krijuara për të luftuar sfidat e asaj periudhe. Ndërsa kushtet normalizohen, këto politika nuk janë më të nevojshme”, tha anëtari i bordit të Bankës Qendrore Europiane.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.