Tekstet e reja – MASR, udhëzim për përllogaritjen e çmimit
Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit ka bërë publike mënyrën se si do të bëhet përllogaritja e çmimit të shitjes së librave të rinj për vitin e ardhshëm shkollor.
Çmimi i teksteve të reja për klasat e katërta dhe të nënta në arsimin fillor, do të propozohet nga subjektet dhe do të vendoset nga ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit. Vendimi do të merret në bazë të një vlerësimi të posaçëm.
MASR do të bëjë vlerësimin e çmimit tavan të teksteve te miratuara, i cili do të përpjesëtohet me numrin e teksteve të miratuara. Kjo metodë do të përdoret për ato tekste ku subjekti e tejkalon këtë çmim, ndërkohë që bëhet e qartë se për tekstet e ofruara me çmim poshtë çmimit tavan do të shiten në shumën e ofruar nga subjekti.
Ministria e Arsimit bën të qartë se çmimi përfundimtar nuk duhet të kaloje marzhin sa norma e inflacionit të vitit aktual mbi çmimin tavan të tekstit analog i cili është 3.5%, ndërsa për përmbajtjet dixhitale ky marzh nuk duhet të jetë më shumë se 5.2%.
Kufiri i marzhit maksimal nuk do të përdoret për tekstet qe hyjnë për herë të parë në qarkullim dhe kur nuk ka tekste analoge që mund të përdoren si referencë nga viti i mëparshëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.