Tekstet shkollore falas, Gjini: Ka nisur procesi i kompensimit për 16 kategoritë përfituese

Ka nisur procesi i kompensimit për tekstet shkollore për të gjithë ato familjeve që u përkasin 16 kategorive përfituese.
Në një intervistë për televizionin SCAN drejtoresha për arsimin parauniversitar në Ministrinë e Arsimit Zamira Gjini deklaron se një pjesë e këtyre përfituesve i kanë marrë tekstet shkollore direkt nga drejtorët e shkollave, ndërsa pjesa tjetër po kompensohet në bazë të faturës financiare që dorëzojnë prindërit.
“Kategoria e fëmijëve që marrin tekse falas është e ndarë në dy grupe, një pjesë e merr nëpërmjet kompensimit, pra prindi i blen tekstet, dorëzon faturat në drejtorinë e shkollës. Drejtoria e Shkollës nëpërmjet drejtorisë arsimore ia dërgon prindërve nëpërmjet postës rimbursimin e teksteve që kanë blerë. Dhe kategoria tjetër që i merr tekstet direkt nga drejtori i shkollës, pa i blerë parapraktikish ato. I kanë hartuar drejtorët e shkollave listat që në fund të vitit shkollor”.
Gjini thekson se MAS po synon rritjen e numrit të kategorive përfituese të teksteve shkollore falas.
“Është një buxhet i cili planifikohet kur hartohet buxheti i Ministrisë së Arsimit, që kur hartohen zërat në drejtoritë e arsimit parauniversitar. Në këtë vit ne synojmë të shtojmë numrin e kategorive të fëmijëve që do të marrin tekste falas”.
Ndërkohë për vitin e kaluar përfituan tekste falas 96 mijë nxënës me një fond prej 320 milion lekësh nga të cilat 240 milion lekë në arsimin bazë dhe 80 milion në arsimin e mesëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.