Tekstet shkollore falas, Rama: Deri në fund të mandatit, deri në klasën e nëntë – Rritje e mëtejshme pagash për mësuesit

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, kanë zhvilluar një takim me mësuesit në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Librat falas kanë qenë në qendër të kësaj tryeze, pasi këtë vit do të shpërndahen pa pagesë për 190 mijë nxënës deri në klasën e katërt.
Sipas kryeministrit, kjo nismë realizohet këtë vit pasi janë krijuar mundësitë ekonomike, ndërsa vitet e ardhshme pritet të shtrihet edhe për klasat e tjera, pjesë të arsimit bazë.
“Vitin e ardhshëm në këtë program do të përfshihet dhe klasa e pestë dhe ambicia jonë është që deri në fund të këtij mandati, i gjithë arsimi i detyrueshëm, pra deri në klasën e nëntë, të mbulohet me libra shkollorë falas dhe prindërve, familjeve, të të gjithë nxënësve nga klasa e parë në të nëntën, t’u kursehen miliona e miliona euro shpenzime për libra që i mbeten familjes për buxhetin e saj”, deklaroi Rama.
Rama u kërkoi mësuesve dhe drejtorive të shkollave të bëjnë të mundur shpërndarjen në kohë të teksteve falas për të gjithë nxënësit. Kryeministri adresoi edhe rritjen e çmimeve të teksteve shkollore, e cila sipas tij ka ardhur për shkak se janë zëvendësuar tekstet “skarco” me libra më cilësorë.
Në fund të takimit, Rama premtoi rritje të mëtejshme pagash për mësuesit. “Edhe pse janë rritur, rrogat tuaja kanë nevojë për më shumë rritje. Mos e kini këtë dyshim, por çdo hap sipas mundësive të reja që krijohen dhe që besoj se do krijohen së shpejti”, tha kryeministri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.