“Telekom Albania” ofron 7.441 mln euro – Tenderi për brezin 800 Mhz, paraqitet vetëm një ofertë
Operatori Telekom Albania ishte i vetmi që paraqiti ofertë në tenderin për dhënien në përdorim të frekuencave në brezin 800 Mhz. Telekom Albania ofroi 7 milionë e 441 mijë euro, nga 7.44 milionë euro që ishte vlera minimale e kërkuar për kualifikimin e ofertave.
Komisioni i vlerësimit të ofertave i ngritur në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pritet të marrë vendimin për ta shpallur fituese ofertën e Telekom Albania ditën e enjte. Kjo do ta bëjë kompaninë me kapital bullgar operatorin e dytë që merr të drejta përdorimi në brezin 800 Mhz.
Tenderi për brezin 800 Mhz u hap për herë të dytë në gusht, pasi në tenderin e parë që u mbyll në muajin shkurt ishte paraqitur vetëm një ofertë, nga operatori Vodafone Albania. Ndërkohë, operatori i tretë i shërbimeve të komunikimit celular, Albtelecom, as në tenderin e dytë nuk paraqiti ofertë, duke lënë të kuptohet se nuk është i gatshëm të paguajë çmimin prej 7.44 milionë eurosh të kërkuar nga qeveria shqiptare.
Brezi 800 Mhz do të shfrytëzohet nga operatorët celularë për të rritur kapacitetet e transmetimit të internetit me brez të gjerë nga rrjetet e tyre. AKEP vlerëson se shfrytëzimi i këtij brezi nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike do të ketë një ndikim të ndjeshëm në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.