Temperaturat mbajnë nën kontroll flakët – EC: 8 vatra zjarri në 24 orët e fundit

Temperaturat e ulura dhe reshjet rastësore kanë mbajtur nën kontroll situatën e zjarreve në vend, gjatë 24 orëve të fundit. Emergjencat Civile raportojnë se deri në orën 9:00 të mëngjesit të së shtunës janë shënuar vetëm 8 vatra zjarri në qarqet Shkodër, Elbasan, Dibër, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ndryshe nga ditët e mëparshme të muajit Korrik, flakët kanë arritur të djegin një sipërfaqe relativisht më të vogël prej 6.2 hektarësh me shkurre e ferra, nga ku 3 hektarë janë djegur si pasojë e një zjarri në fshatin Shkozë, në Selanicë të Vlorës. Një automjet me 10 forca zjarrfikëse, si dhe ndihma e banorëve të fshatit ka qenë e mjaftueshme për të fikur vatrën.
Qarku i Elbasanit rezulton të ketë qenë më i nxehti ditën e djeshme, ku 4 zjarre kanë rënë në zona të ndryshme të këtij qarku, përkatësisht në fshatin Paulesh, fshatin Babje, në lagjen “Xhami” të Peqinit, si dhe në kurorën me ullishte pranë lagjes “Vullnetari” në Elbasan.
Gjatë ditëve në vijim, me rikthimin e temperaturave të larta pritet të shtohen edhe rastet e zjarrit në të gjithë vendin. Krahas temperaturave të larta, zjarret ndizen shpesh qëllimisht edhe nga njerëzit, për këtë arsye Policia njofton se gjatë muajit Korrik ka proceduar 8 persona për zjarrvënie.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.