Tendencat e kreditimit / Skemat e garancive favorizuan rritjen tek biznesi në tremujori II
Kredia për biznesin u rrit në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa ajo për individët pësoi ngadalësim. Të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues, të Bankës së Shqipërisë, tregojnë se kredia për biznese ka shënuar norma rritjeje më të larta se në tremujorin e parë të vitit. Rritja e kredisë në këtë segment është mbështetur nga stimuli i fortë monetar dhe nga paketat e masave për zbutjen e efekteve negative, ndër to skema e kredisë me garanci sovrane. Edhe normat e interesit për kreditë lekë kanë shënuar rënie. Edhe në këtë rast, skemat e garancisë sovrane me norma interesi tavan të përcaktuara në marrëveshjen me qeverinë shqiptare kanë pasur një ndikim të rëndësishëm. Për tremujorin e dytë, besohet se ndikimin kryesor e ka dhënë skema e parë e garancisë sovrane për mbulimin e pagave të punonjësve, përmes të cilës është dhënë rreth 6.3 miliardë lekë kredi. Pavarësisht rritjes, në tremujorin e dytë kushtet e kreditimit për biznesin janë raportuar të shtrënguara dhe kërkesa për kredi me rënie, si pasojë e pandemisë Covid-19. Rënia e kërkesës për kredi me kushte normale tregu, megjithatë, është kompensuar nga kërkesa e gjeneruar nga skema e garancisë ofruar me kushte më të favorshme.
Ndërkohë, kredia për individë është ngadalësuar në tremujorin e dytë të vitit, si në kredinë konsumatore, ashtu edhe në atë për blerje banese. Ndryshe nga kredia për biznesin, kredia për individët nuk ka qenë subjekt i skemave mbështetëse dhe është ndikuar më shumë nga pandemia dhe nga mbyllja e aktivitetit ekonomik. Në këto kushte, si kërkesa e individëve, ashtu edhe oferta e bankave për kredi janë shfaqur të shtrënguara. Kredia për individë ngelet në rritje vjetore pozitive, me 6.1%, por norma e rritjes është ngadalësuar me 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e parë.
Ersuin Shehu – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.