Tender për rrugën në fshatin Kasallë – Përfitojnë mbi 6 600 banorë, do të lidhë zonën me aksin Kamëz-Fushë-Krujë
Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e prokurimit publik për projektimin e ndërtimit të rrugës për në fshatin Kasallë, loti 2. Fondi limit i vënë në dispozicion kap vlerën e mbi 45.3 milionë lekëve. Ky segment rrugor, një degëzim nga Cerkezi në Cinam, ndodhet rreth 12.8 km nga qendra e Tiranës, në pjesën veriore të saj.
Bazuar në dokumentet e publikuara pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërhyrja në këtë segment rrugor është parë e domosdoshme nisur nga gjendja ekzistuese, pasi aktualisht ai nuk është i asfaltuar. Ajo është vazhdim i rrugës së ndërtuar nga Bashkia më 2017, me objekt ‘Rruga për në fshatin Kasallë.’
Më ndërtimin e kësaj rruge përfitojnë jo vetëm 3170 banorët e zonës në të cilën shtrihet projekti, por njëkohësisht edhe ato të fshatrave përreth. Më konkretisht, kjo rrugë do t’i shërbejë fshatrave Çerkeze, Dritas, Qeraxhias dhe Qinam që në total kanë një popullsi prej 3500 banorë, duke përmirësuar kështu kushtet social ekonomike të këtyre zonave.
Ndërkohë, do të shërbejë po ashtu si një korridor për lidhjen e kësaj zone me aksin kryesor Kamëz-Fushë-Krujë.
Fshati Kasallë është krijuar në vitin 2000 dhe është miratuar me ‘Vendim të KRRT-së të Republikës së Shqipërisë Nr.8/2004 dhe ka rreth 550 familje. Popullsia e kësaj zone ka pësuar një rritje demografike pas viteve 90 si rezultat i vendosjes së familjeve të ardhura nga zona të ndryshme të vendit.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për pjesëmarrje është përcaktuar data 2 dhjetor 2018, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 3 muaj kalendarikë nga firmosja e saj.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.