Tenderat me negocim – Institucionet dhanë 80 milionë dollarë në tavolinë
Institucionet në vend dhanë gjatë vitit 2016 rreth 80 milionë dollarë për tendera që u negociuan pa shpallje paraprake dhe jo përmes procedurës elektronike. Është kjo shifra e dhënë në raportin vjetor të Agjencisë së Prokurimit Publik. Kjo shifër është e barabartë me atë të një viti më parë.
Në numër pocedurash, prokurimet me negocim kapin shifrën 2186. Sipas analizës së bërë nga agjencia thuhet se rreth 25% e procedurave negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të zhvilluara gjatë periudhës Prill-Dhjetor 2016 kanë të bëjnë me shtesa kontratash dhe nuk janë procedura të reja por janë të lidhura me në procedurë konkurruese të zhvilluar më pare duke rritur artificialisht numrin.
Por cilat janë të dhënat e tjera të raportit lidhur me prokurimet e përgjithshme. Në total janë prokuruar 108 miliardë lekë, por fondi limit i procedurave të fituara është 95 miliardë lekë. Një ndër elementët që bie në sy është edhe ai për blerjet e vogla deri në 200 mijë lekë.
Nga të dhënat rezulton se në krahasim me vitin 2015 ku janë zhvilluar gjithsej 19 828 procedura prokurimi me vlerë të vogël, gjatë vitit 2016 ka pasur një rënie të numrit të tyre me 17 010 procedura gjithsej të përfunduara me njoftim fituesi. Ndërkohë, e njëjta tendencë vihet re edhe po të krahasojmë vlerat, fondi i prokuruar me këtë lloj procedure gjatë vitit 2016 ishte 7,535,592,143 kurse në vitin 2015, 10 miliardë lekë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.