Tenderat për sigurinë, APP dhe KPP: Si do llogarisni pagat dhe shtesat për rojet

Tenderat për sigurinë fizike të institucioneve të ndryshme janë kthyer prej vitesh në mollë sherri mes kompanive që e ofrojnë këtë shërbim dhe ankimojnë më shumë pocedura në Komisionin e prokurimit Publik.
Përjashtim nuk ka bërë as ky vit ku vetëm në janar dhe shkurt janë ankimuar 44 procedura me këtë objekt prokurimi. Nisur nga kjo Agjencia e Prokurimit Publik dhe Komisioni i Prokurimit Publik kanë hartuar një dokument me rekomandime për mënyrën sesi do të llogaritet fondi limit për procedurat ku detajet kanë të bëjnë me pagesën e punonjësve si roje si dhe me shpenzimet për armatim.
Kështu lidhur me pagën në rekomandim thuhet se “sqarojmë se paga minimale mujore e punonjësve të shërbimit privat të sigurisë fizike është 33 mijë lekë dhe jepet për 174 orë pune në muaj. Në këtë kontekst rekomandojmë që llogaritjet të kryhen në bazë të pagës orare 189.5 lekë. Gjithashtu në këtë zë shpenzimesh rekomandojmë të merren në konsideratë edhe parashikimet e Kodit të Punës sa i takon shtesave mbi pagë. Konkretisht sipas nenit 81, çdo orë pune e kryer nga ora 19:00 deri në 22:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20 për qind dhe çdo orë e kryer mes intervalit 22:00 dhe 6:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 50 për qind”, thuhet në rekomandim.
Sakaq lidhur me shpenzimet që shtohen për armatim Agjencia e Prokurimit dhe Komisioni i Prokurimit vlerësojnë se kjo nuk duhet të njihet pasi sipas legjislacionit në fuqi ato janë pronë e kompanive që japin shërbimin.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.