Tenderat, të papërfillshme për biznesin – Barometri i Ballkanit: Zënë vetëm 7% të xhiros, norma më e ulët në rajon
Në Shqipëri, prokurimet publike zënë vetëm 7% të xhiros së bizneseve. Kjo është shifra më e ulët ndër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në rajon, mesatarja fiksohet në 12%, ndërsa për vende si Mali i Zi ngjitet deri në 22%. Norma prej 7% vjen si rezultat i anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), “Barometri i Ballkanit 2020”. Pra janë vetë bizneset të cilat deklarojnë një pjesë prej vetëm 7% të prokurimeve publike në xhiron e tyre vjetore.
Një vit më parë, kjo normë fiksohej në 9%, dhe mesatarja e rajonit në 13%, çka sinjalizon një rënie të peshës së prokurimeve publike në xhiron e sipërmarrjes shqiptare. Mes atyre që kanë fituar tendera publik gjatë 12 muajve të fundit deri në kohën e kryerjes së anketës, më shumë se gjysma, ose më saktë 58% e tyre deklarojnë se janë kontaktuar vetë nga autoritetet e prokurimeve publike për arsye të ndryshme. Kjo është norma më e lartë në rajon, ndërkohë që në Ballkanin Perëndimor “peshorja” anon nga kahu i kundërt.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.