Tenderët e ushqimeve – Siguria, Peleshi: Subjektet duhet të kenë licenca e certifikime specifike
Operatorët ekonomikë që do të fitojnë tenderët e ushqimeve në çerdhe, shkolla apo spitale duhet të disponojnë licenca dhe certifikime të veçanta, në mënyrë që të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë e Prokurimit Publik, i cili parashikon standardizimin e specifikimeve teknike për produktet ushqimore, të cilat prokurohen nëpërmjet procedurave të prokurimit nga autoritetet kontraktore, në këto institucione.
“Ky bashkëpunim, kjo marrëveshje bashkëpunimi, synon pikërisht t’i vërë fre nga njëra abuzuesve me tregtimin e këtyre lloj produkteve, duke forcuar pra bashkëpunimin, duke instaluar një set standardesh ligjore, të cilat vetëm në qoftë se plotësohen nga subjektet, mund t’i jepet drita jeshile për të marrë pjesë në prokurimin publik, në tendera publike, për furnizimin e këtyre institucioneve. Nuk dua tani të fus në merak askënd, por duhet ta them që konrolli i AKU-së për këtë kategori subjektesh dhe operatorësh do të jetë i posaçëm”.
Sipas Drejtores së Përgjithshme të APP -së, Agjencia e Prokurimit Publik angazhohet të marrë përsipër informimin periodik për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit me listën e operatorëve ekonomikë që lidhin kontrata publike me autoritetet kontraktore, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik.
“Qëllimi në vetvete është marrja e një produkti ashtu siç e duam dhe në rastin konkret marrja e ushqimit me cilësinë e kërkuar. Faza e para është ajo e vendosjes së standardeve, se si do t’ i hartojmë kriteret e duhura që ofertuesit të na japin produktin e duhur, dhe për këtë në bashkëpunim të ngushtë me AKU-në do të marrim standardet bazë që vendos legjislacioni i fushës dhe në respektim të legjislacionit të prokurimit do të krijohet kriteret bazë të cilat do të jenë të detyrueshme për çdo institucion tenderues”.
Sipas Kashtës, faza tjetër do jetë pjesa e monitorimit të zbatimit të kontratës me kushtet për të cilat është tenderuar.”
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.